Një video e pazakontë nga Cincinnati po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke grumbulluar miliona shikime në rrjetet sociale, pas një përballjeje sa komike aq edhe të tensionuar mes një polici dhe një çiklisti në rrugë.
Pamjet janë filmuar nga një banor lokal, Broc Wilson, i cili e përshkroi skenën si një “lojë mace me miun”.
Në video, polici shihet duke u përpjekur të neutralizojë burrin, por në një moment ai shtyhet dhe përfundon në tokë. Menjëherë më pas, personi tenton të largohet me biçikletë, por edhe ai humbet ekuilibrin dhe rrëzohet në mes të rrugës.
Ajo që pason është pjesa më e çuditshme e videos.
Burri nis të vrapojë në formë rrethi në mes të rrugës, ndërsa polici e ndjek nga pas dhe përpiqet ta ndalojë me spraj me piper. Për disa sekonda, e gjithë skena ngjan më shumë me një skenë komike filmi sesa me një arrestim real.
Në fund, personi arrin të hipë sërish në biçikletë dhe ia del të largohet, duke i shpëtuar policit.
Deri tani, nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi përplasjen dhe as nëse personi është identifikuar apo kapur më pas. Mediat amerikane raportojnë se policia është kontaktuar për një deklaratë zyrtare.
Ky moment ka ndezur reagime të shumta online, me shumë përdorues që e kanë cilësuar videon si një nga ndjekjet më të çuditshme dhe njëkohësisht më qesharake të vitit.