Bilanci i viktimave nga sulmet masive izraelite në Liban është rritur në të paktën 303 të vdekur, ndërsa 1150 të tjerë kanë mbetur të plagosur, sipas Qendrës së Operacioneve të Emergjencës Shëndetësore pranë Ministrisë së Shëndetësisë në Liban.
Sipas autoriteteve libaneze, ky është një nga sulmet më të rënda të viteve të fundit, me goditje të shumta që kanë prekur zona të ndryshme të vendit, përfshirë edhe lagje të banuara në Beirut.
Ministria bëri të ditur se që nga nisja e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, numri total i viktimave në Liban ka arritur në 1888 persona, ndërsa i të plagosurve në 6092.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se negociatat direkte për armëpushim mes Izraelit dhe Libanit pritet të nisin sa më shpejt, një zhvillim që vjen në mes të presionit ndërkombëtar për uljen e tensioneve.
Sipas mediave ndërkombëtare, bisedimet do të fokusohen te ndalimi i përshkallëzimit ushtarak dhe çështja e çarmatimit të Hezbollah, ndërsa situata në terren mbetet tepër e tensionuar.
Pamjet nga terreni tregojnë ndërtesa të shkatërruara, ekipe shpëtimi që kërkojnë nën rrënoja dhe spitale të mbingarkuara me të plagosur, në atë që po konsiderohet si një nga ditët më të përgjakshme të konfliktit në Liban.