Një video që po bën xhiron e rrjeteve sociale tregon një skenë sa të pazakontë, aq edhe komike, të ndodhur te Zgara Optimus në Tiranë.
Sipas biznesit, klienti ka hyrë në ambientet e restorantit rreth orës 17:28 dhe ka qëndruar i vetëm në tavolinë për më shumë se 3 orë, deri në 20:43, ku sipas pamjeve të kamerave të sigurisë vendos të largohet pa paguar faturën.
Por ajo që e bën rastin unik është mënyra e largimit.
Pasi kishte konsumuar plot 1.5 kilogram mish, klienti shihet për disa minuta duke lëvizur i shqetësuar në ambientet e brendshme, sikur po “projektonte planin e arratisjes”. Më pas, në një moment të papritur, ai merr vendimin drastik për t’u hedhur nga dritarja e katit të dytë, duke rrezikuar seriozisht veten vetëm për të shmangur pagesën e faturës.
Gjithçka është filmuar nga kamerat e sigurisë dhe pamjet tashmë janë bërë virale në rrjet.
Me një dozë ironie, vetë biznesi ka reaguar me humor në postimin që shoqëron videon:
“Ky supermeni është rast unikal, u hodh nga dritarja e katit të dytë tek Zgara Optimus për të mos paguar faturën. Erdhi me ditë, iku me natë. Herën tjetër mos ha 1.5 kg mish vetëm o bablok, se rëndohesh e nuk vrapon dot.”
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta online, ku shumë komentues e kanë quajtur një nga “arratisjet më kreative” të parë ndonjëherë për një faturë restoranti.