Pas një çerek shekulli në kërkim, drejtësia shqiptare ka arritur të gjurmojë dhe arrestojë në Itali dy vëllezërit Artur dhe Arben Mëhilli, të dënuar për një vrasje të ndodhur në fund të viteve ’90 në Lushnjë.
Ngjarja daton në vitin 1999, kur ata vranë të riun Rezar Metaj, në një akt hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tyre, Sokol Mëhilli, dy vite më parë. Ky i fundit ishte qëlluar për vdekje në vitin 1997 dhe autori i krimit nuk ishte ndaluar nga autoritetet në atë kohë.
Në vitin 2001, Gjykata e Lushnjës i dënoi të dy në mungesë me 32 vite burg në total, për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Menjëherë pas krimit, ata u larguan drejt Italisë, ku jetuan për vite me radhë nën identitete të rreme, Artur Davidhi dhe Arben Gjermeni, duke arritur të sigurojnë edhe dokumente qëndrimi.
Zbulimi i tyre erdhi pas një sinjalizimi nga Italia, ku u raportua për persona me identitet të dyshimtë që jetonin së bashku me familjarë të lidhur me ta. Në mungesë të gjurmëve të gishtërinjve në Shqipëri, hetuesit e Interpolit në Tiranë iu drejtuan një metode tjetër, analizës përmes teknologjisë së njohjes së fytyrës.
Duke krahasuar fotografitë e vjetra të vëllezërve Mëhilli me imazhet e dërguara nga autoritetet italiane, ekspertët arritën të konfirmojnë identitetin e tyre, pavarësisht viteve dhe ndryshimeve fizike.
Artur Mëhilli ishte 33 vjeç në kohën e krimit dhe u arrestua në Itali në moshën 60-vjeçare. Ndërsa Arben Mëhilli, atëherë 27 vjeç, sot është 54 vjeç. Të dy janë tashmë në pranga dhe pritet të ekstradohen në Shqipëri për të vuajtur dënimin.
Një detaj që riktheu këtë histori në vëmendjen publike është lidhja familjare me Stenaldo Mëhillin, i cili së fundmi u bë i njohur për publikun përmes pjesëmarrjes në “Big Brother VIP”. Ai ka rrëfyer më parë se babai i tij, Sokol Mëhilli, u vra kur ai ishte vetëm 1-muajsh.
Aktualisht, autoritetet shqiptare dhe ato italiane po bashkëpunojnë për përfundimin e procedurave të ekstradimit të dy vëllezërve, duke i dhënë kështu fund një historie të gjatë arratie.