Sipas raportimeve të mediave italiane, ngjarja ndodhi në zonën Gardolo, pas një konflikti mes pronarit të bar “Milena” dhe tre vëllezërve. Gjithçka nisi kur pronari vuri re mungesën e energjisë elektrike në lokal dhe u drejtua për të kontrolluar sahatin e pallatit.
Në momentin që dera iu hap, ai u përball me një sulm të menjëhershëm nga njëri prej vëllezërve, i cili e akuzoi për zhurmë të lartë muzike. Pavarësisht sqarimit se lokali mbyllej në orën 20:00, situata doli jashtë kontrollit: pronari u godit me kokë dhe përfundoi në tokë.
I plagosuri arriti të strehohej brenda lokalit për të kërkuar ndihmë, ndërsa në vendngjarje mbërritën forcat e rendit. Por tensioni u përshkallëzua edhe më tej, kur dy vëllezërit e tjerë iu bashkuan konfliktit, duke shkatërruar ambientet e lokalit. Tavolina dhe karrige u hodhën drejt xhamit, duke e thyer atë, ndërsa brenda u dëmtuan një sërë pajisjesh dhe objektesh.
Përplasja vijoi edhe me karabinierët, ku një efektiv mbeti i plagosur, ndërsa një tjetri iu dëmtua pajisja “taser” gjatë ndërhyrjes.
Në përfundim, tre vëllezërit, rezidentë në Trento, u arrestuan dhe tashmë po përballen me drejtësinë për veprimet e tyre. Nga ana tjetër, pronari i lokalit përfundoi në spital me traumë në kokë dhe dëmtime të shumta trupore, duke marrë një raport mjekësor prej 10 ditësh.
Në seancën e fundit gjyqësore, të zhvilluar më 8 prill, avokati i tij kërkoi një dëmshpërblim prej 70 mijë eurosh për dëmet fizike dhe materiale, ndërsa çështja është shtyrë për një shqyrtim më të thelluar.