Është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë shtetasi Aleks Ndreka, i cili ishte arrestuar më herët në vendin fqinj, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar Metamorfoza.
Ndaj Ndrekës ishte caktuar në mungesë masa e sigurisë “arrest në burg”, nën dyshimet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, si dhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve.
I njohur edhe me mbiemrin Deda, Aleks Ndreka konsiderohet një emër i njohur në botën e krimit, veçanërisht në zonat e Lezhës dhe Shkodrës. Me nofkën “Leksi i Druve”, ai ka qenë disa herë objekt atentatesh, ndër të cilat më i rëndi raportohet ai i realizuar me dron.
Ndreka është një nga 15 personat e shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të këtij operacioni.
Nga hetimet janë zbardhur edhe komunikime që implikojnë Behar Bajrin, i cili dyshohet se kishte angazhuar Aleks Ndrekën dhe Prek Kodrën për të mbledhur informacione mbi vendndodhjen e Dorian Dulit, Genc Tafilajt dhe Ibrahim Licit me qëllim eleminimin e tyre në varrimin e Indrit Rrajës, atentat i cili fatmirësisht nuk u realizua për shkak se Ndreka nuk arriti të dallonte makinën me të cilën udhëtonin shënjestrat.
Sipas dosjes, çdo informacion i siguruar përcillej përmes aplikacionit “Sky” tek Bajri, i cili më pas aktivizonte një celulë vrasësish të mbajtur në gatishmëri, së bashku me armët dhe mjetet e nevojshme për kryerjen e atentateve.