Pas ndarjes nga jeta të 33-vjeçarit Kristo Liço, miqtë dhe kolegët e tij i janë drejtuar redaksisë sonë me një thirrje publike për protestë, duke kërkuar drejtësi për aksidentin tragjik që i mori jetën.
Sipas njoftimit të dërguar në redaksi, protesta pritet të zhvillohet të premten, në orën 10:00, para Gjykatës së Lartë në Tiranë.
Të afërmit e Kristit, të revoltuar nga lirimi i menjëhershëm i 18-vjeçarit Endri Brailika që shkaktoi aksidentin tragjik teksa drejtonte mjetin tip 'BMW', kërkojnë transparencë të plotë dhe ngrenë pikëpyetje të forta mbi trajtimin e çështjes, duke dyshuar për ndikim në drejtësi për shkak se babai i autorit raportohet si punonjës i RENEA-s.
“Nuk do të lejojmë që kjo ngjarje të kalojë si një tjetër padrejtësi e heshtur. Duam drejtësi për Kristin,” thuhet në mesazhin e dërguar në redaksinë tonë.
Sipas tyre, protesta do të jetë qytetare dhe pa përfshirje politike, ku çdo person është i mirëpritur të marrë pjesë si individ.
Ngjarja ka shkaktuar reagim të fortë publik, ndërsa protesta pritet të kthehet në një thirrje për llogaridhënie dhe transparencë mbi mënyrën se si po trajtohet rasti.
Njoftim i plotë:
Të premten, në orën 10, protestë te Gjykata e Lartë
Një 18-vjeçar, djalë i një polici të RENEA-s, përplasi me X5-ën e babit në datën 1 prill Kristin bashkë me shoqen e tij, të cilët po udhëtonin me motor. Sot, më datë 8 prill, ai ndërroi jetë në spital.
Ndërkohë, gjykata ka nxjerrë të pafajshëm 18-vjeçarin, edhe pse duket qartë në video që ai është komplet në faj.
Ne kërkojmë të dënohet 18-vjeçari, babai i tij, i cili përveçse ka lejuar djalin e tij të ngasë një makinë me motor të fuqishëm, gjë që dënohet me ligj, edhe ka ndërhyrë në fshehjen e provave dhe në nxjerrjen të pafajshëm të birit të tij. Gjithashtu gjykatësi, i cili ka marrë këtë vendim absurd.
Kushdo që mundet të na bashkohet është i mirëpritur në këtë protestë. Thjesht, kushdo që vjen, do vijë si individ dhe asnjë përfaqësues partie.
Jemi miqtë dhe kolegët e Kristit dhe nuk do lejojmë të mos vihet drejtësi për të.