Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Vlorës një ditë më parë, ku një vajzë vetëm 4 vjeç u sulmua nga një qen pitbull në zonën e Lungomares. Shkaqet e incidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa rasti ka shkaktuar shqetësim të madh tek qytetarët.
Vetëm 24 orë pas ngjarjes, Policia e Vlorës bëri me dije se pronari i qenit, një 87-vjeçar, është proceduar penalisht dhe po hetohet në gjendje të lirë. Ndërkohë, sipas njoftimit zyrtar, kafsha është marrë në dorëzim nga Shërbimi i Mbrojtjes së Kafshëve pranë Bashkisë Vlorë.
Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania hedh dyshime të forta mbi fatin e qenit. Sipas denoncimit, pasi është marrë nga shërbimi veterinar i bashkisë, qeni është vrarë dhe më pas është hedhur nga punonjës të ndërmarrjes së pastrimit pranë landfillit të Sherishtës.
Në këtë vendim janë përfshirë drejtues të strukturave përkatëse, konkretisht Aulona Veizi, drejtoreshë e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Veterinarisë, dhe Ardi Peçuli, drejtor i Shërbimit Veterinar pranë Bashkisë Vlorë. Sipas denoncimit, ata dyshohet se kanë urdhëruar një punonjës të shërbimit veterinar, pranë bashkisë Vlorë, Sokol Voshtina i cili zotëron edhe një klinikë private, për kryerjen e këtij veprimi.
Nga ana tjetër, një qytetare që ka tentuar të kontaktojë personat e përfshirë thotë se nuk ka marrë asnjë përgjigje konkrete. Sipas saj, çdo pretendim mbi rastin është mohuar dhe nuk është dhënë asnjë informacion mbi vendndodhjen apo fatin e kafshës.
Ngjarja ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik, veçanërisht nga aktivistë dhe shoqata për mbrojtjen e kafshëve, të cilët kërkojnë transparencë dhe sqarime të plota mbi mënyrën se si është menaxhuar rasti. Ata ngrenë pyetje mbi respektimin e protokolleve ligjore për trajtimin e kafshëve potencialisht të rrezikshme dhe mbi përgjegjësinë institucionale.
Ky rast rikthen në vëmendje një problem të hershëm, mungesën e një sistemi të qartë dhe funksional për menaxhimin e kafshëve, si dhe rrezikun që kjo situatë paraqet për sigurinë e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve.
Ndërkohë pyetja që ende nuk ka marrë një përgjigje mbetet e njëjtë: çfarë ndodhi realisht me qenin dhe a janë ndjekur procedurat e duhura nga institucionet përgjegjëse?
JOQ Albania i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të ndërhyjnë menjëherë dhe të hetojnë këtë rast, duke vënë para përgjegjësisë autorët e ktij krimi. Institucionet nuk mund të zgjidhin problemet duke ushtruar dhunë dhe mizori ndaj kafshëve.
Redaksia jonë publikon këtë artikull në bazë të pretendimeve të denoncuesve dhe apelon për reagim të menjëhershëm nga autoritetet.