Një qytetar ka bërë një denoncim të fortë publik për një rast të rrezikshëm në autostradë, ku një drejtues automjeti shfaqi sjellje ektremisht të papërgjegjshme dhe kërcënuese.
Sipas denoncimit, ndërsa po udhëtonin me makinë, me një fëmijë në bord, një drejtues tjetër i cili udhëtonte me një mjet tip 'Range Rover' me targë të personalizuar G 888 B iu afrua në mënyrë shumë të rrezikshme dhe nisi të bënte manovra agresive. Jo vetëm kaq, por ai përdorte fjalor fyese duke i ofenduar me fjalë dhe gjestikulacion duke treguar gishtin. Gango i cili drejtonte 'Rangen' dukshëm synonte të intimidonte, madje duke krijuar rrezikun për një përplasje të drejtpërdrejtë.
Qytetari thekson se situata ishte jashtëzakonisht e frikshme dhe mund të kishte përfunduar tragjikisht, duke rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe të fëmijës. Fatmirësisht, ngjarja është regjistruar me video, që dokumenton qartë sjelljen e rrezikshme dhe agresive të këtij drejtuesi.
“Raste të tilla nuk duhet të tolerohen,” shprehet qytetari, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përkatëse. Ai nënvizon se mungesa e përgjegjësisë dhe sjellja agresive në rrugë janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë publike dhe duhet të ndëshkohen me rigorozitet.
Ky rast është një apel i fortë për autoritetet dhe për gjithë shoferët: sjellja agresive në rrugë nuk është vetëm e papranueshme, por edhe e rrezikshme për jetët njerëzore.