Një qytetar nga Saranda ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania, një rast të papërgjegjshëm të ndodhur së fundmi në “Rrugën e 5-të”, ku automjeti i tij është dëmtuar nga një mjet tjetër, drejtuesi i të cilit është larguar menjëherë nga vendngjarja.
Sipas denoncuesit, makina ka qenë e parkuar në momentin e përplasjes, ndërsa dëmet janë konstatuar në anën e djathtë të saj. Konkretisht, janë dëmtuar pasqyra anësore dhe stopi i pasëm.
Qytetari bën apel që drejtuesi i automjetit që ka shkaktuar dëmin të reflektojë dhe të paraqitet vetë për të marrë përgjegjësinë, duke shmangur kështu përfshirjen e policisë dhe procedurat ligjore.
“Shpresoj që personi në fjalë të tregojë qytetari dhe të kontaktojë vetë për ta zgjidhur këtë situatë në mirëkuptim,” shprehet ai.
Ndërkohë, rasti ngre edhe një herë shqetësimin për mungesën e përgjegjësisë nga disa drejtues mjetesh, të cilët pas shkaktimit të dëmeve zgjedhin të largohen, duke rënduar situatën për palën e dëmtuar.