Çmimet “flakë” në tregje! Rritet dhe kastraveci, qytetarët mbeten me duart bosh

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06.04.2026, 18:21

Rritja e pandalshme e çmimeve të produkteve të shportës ka shënuar një tjetër rekord negativ këtë të hënë, duke rënduar më tej buxhetin e familjeve shqiptare. Brenda një dite të vetme, tregjet me pakicë në kryeqytet kanë reflektuar një shtrenjtim drastik prej rreth 20% për një grup të gjerë zarzavatesh, ku peshën kryesore e mbajnë domatja dhe kastravecat.

Kjo rritje e menjëhershme ka bërë që produkte bazë të tryezës të kthehen në luks, ku konkretisht domatja e importuar nga Greqia ka arritur vlerën marramendëse prej 400 lekësh për kilogram në tezgat e Tiranës.

Tregtarët e vegjël pohojnë me shqetësim se situata po bëhet e paqëndrueshme, pasi rritja e përditshme e çmimeve ka detyruar qytetarët të ndryshojnë rrënjësisht sjelljen e tyre konsumatore. Sipas tyre, qytetarët tashmë blejnë në sasi shumë më të vogla se më parë, pasi janë të detyruar të përshtaten me shtrenjtimin e vazhdueshëm që prek kryesisht produktet e importit.

Ata theksojnë se kjo valë e re shtrenjtimi është ndjerë më fort këtë fillim jave, duke e bërë diferencën me ditët e kaluara mjaft të dukshme për çdo blerës.

Nga ana tjetër, ekspertët e fushës nisin të ngrenë alarmin për një fenomen që e konsiderojnë pastër abuziv. Ata shprehen se ky kërcim i çmimeve nuk ka asnjë lidhje me krizat ndërkombëtare apo konfliktet në Lindjen e Mesme, pasi produktet që vijnë nga Greqia apo Turqia nuk preken nga problemet në rrugët detare si ngushtica e Hormuzit.

Sipas tij, bëhet fjalë për një spekulim të pastër në të gjithë zinxhirin e tregtimit brenda Shqipërisë, ku çmimet rriten në mënyrë artificiale pa pasur një kosto reale shtesë që do ta justifikonte këtë rritje kaq të "frikshme" në harkun e dy apo tre javëve të fundit.

Sa i përket prodhimit vendas, parashikimet mbeten sërish pesimiste për sa i përket çmimit, ndonëse në këtë rast shkaqet konsiderohen më objektive. Fermerët shqiptarë po përballen me kosto të larta të inputeve bujqësore dhe goditje nga moti, pasi prodhimi në sera është përmbytur dy herë radhazi gjatë këtij sezoni.

Kjo pritet të sjellë një sasi më të ulët prodhimi në treg, çka do të mbajë çmimet e larta edhe për muajt maj dhe qershor. Në këtë klimë pasigurie dhe shtrenjtimi galopant, nevoja për kontroll dhe transparencë në treg mbetet emergjente për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet e mundshme të tregtarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit