Kriza në Lindjen e Mesme duket se po hyn në një fazë edhe më të rrezikshme, pasi Irani ka refuzuar zyrtarisht propozimin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për një armëpushim të përkohshëm 45-ditor. Sipas mediave shtetërore iraniane, Teherani i ka dërguar përgjigjen Uashingtonit përmes Pakistanit, i cili po luan rolin e ndërmjetësit në negociata.
Përgjigjja e Iranit përbëhet nga 10 pika dhe thekson se vendi nuk pranon një marrëveshje të përkohshme, por kërkon garanci për një fund të plotë dhe të përhershëm të luftës, si edhe siguri se nuk do të sulmohet sërish.
Një zyrtar i misionit diplomatik iranian deklaroi se: “Ne pranojmë vetëm fundin e luftës me garanci se nuk do të sulmohemi më.”
Nga ana tjetër, Izraeli ka paralajmëruar se negociatat mund të dështojnë dhe situata të përshkallëzohet edhe më tej. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se sulmet do të vazhdojnë, ndërsa vetëm sot u raportua edhe goditja ndaj impiantit strategjik të South Pars, një nga objektet më të rëndësishme energjetike të Iranit.
Ndërkohë, tensionet janë rritur edhe për shkak të ultimatumit të Donald Trump për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin e naftës në botë. Teherani e ka cilësuar këtë presion si të papranueshëm dhe ka paralajmëruar reagim të ashpër nëse goditen infrastrukturat civile.
Situata në terren mbetet dramatike: sulmet ajrore kanë shkaktuar viktima të tjera në Iran, ndërsa raketat iraniane kanë vijuar të godasin objektiva në Izrael dhe rajon, duke shtuar frikën për një konflikt më të gjerë në të gjithë Lindjen e Mesme.