Një tjetër episod i rëndë ka ndodhur në futbollin spanjoll, duke rikthyer në vëmendje fenomenin shqetësues të racizmit dhe ksenofobisë në tribuna. Pas ngjarjes së ndodhur në sfidën mes Spanja dhe Egjipti në Cornella, ku u dëgjuan kore ofenduese me përmbajtje fetare, këtë herë në shënjestër ka qenë pikërisht ylli i ri i Barcelona, Lamine Yamal.
Incidenti ndodhi gjatë sfidës së fundjavës në stadiumin Metropolitano, ku Atletico Madrid u përball me Barcelonën, ndeshje e fituar nga katalanasit me rezultatin 1-2. Në një moment të lojës, teksa Yamal u afrua për të ekzekutuar një goditje këndi, disa tifozë vendas shpërthyen në fyerje me përmbajtje ksenofobe ndaj tij.
“Je shumë i shëmtuar, bastard, ik me Marokun”, ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan në drejtim të talentit 18-vjeçar, të shoqëruara edhe me ofendime të tjera po aq të rënda. Pamjet e publikuara nga mediat spanjolle kanë dokumentuar incidentin, megjithëse autorët e koreve nuk janë identifikuar.
Ky nuk është një rast i izoluar. Në javët e fundit, stadiumet në Spanjë janë përballur me një valë shqetësuese fyerjesh ndaj futbollistëve në fushën e lojës, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e masave të marra nga klubet dhe autoritetet për të luftuar këtë fenomen.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të promovuar respektin dhe barazinë në sport, incidente të tilla vijojnë të njollosin imazhin e futbollit spanjoll, duke treguar se beteja kundër racizmit mbetet ende larg përfundimit.