Një shpërthim i fortë i dyshuar me lëndë plasëse është regjistruar pak minuta më parë në qendër të Lezhës, pranë komisariatit të policisë, duke shkaktuar alarm te banorët dhe dëme materiale në zonë.
Sipas informacioneve paraprake, shpërthimi ka ndodhur pranë një lokali, në afërsi të godinës së policisë. Zhurma e fortë është dëgjuar në një pjesë të madhe të qytetit, ndërsa banorët kanë raportuar menjëherë shqetësim dhe panik.
Një dëshmitar okular, në komunikim me JOQ Albania, ka konfirmuar se zona e ngjarjes ndodhet pranë komisariatit.
Sipas dëshmisë së tij, shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm, duke shkaktuar dëme materiale edhe në godinën e pallatit përreth.
“Ka pas dëme deri në katin e tretë të pallatit dhe edhe makinat përreth kanë pasur dëme”, shprehet dëshmitari për JOQ Albania.
Deri në këto momente, nuk ka raportime paraprake për persona të lënduar, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat e plota të ngjarjes dhe natyrën e shpërthimit.
Fakti që shpërthimi ka ndodhur pranë komisariatit e bën ngjarjen edhe më shqetësuese, ndërsa priten informacionet zyrtare nga policia.