Një aksident tragjik ka ndodhur në Fiershegan të Lushnjës, ku ka humbur jetën 35-vjeçari Klevis Gjoni. Sipas të dhënave paraprake, i riu po drejtonte një motoçikletë kur u përplas me një mjet tip “Caddy”, i cili po kryente një manovër për t’u kthyer në anën tjetër të rrugës për të hyrë në një banesë. Përplasja ndodhi gjatë tentativës së motoçikletës për parakalimin në të njëjtën korsi, duke shkaktuar fatalitetin.
Pas aksidentit, 35-vjeçari u transportua menjëherë në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk arriti të mbijetojë. Në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë rrugore, të cilat po punojnë për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sipas burimeve policore, shkak paraprak i aksidentit dyshohet të ketë qenë manovra e parakalimit nga drejtuesi i motoçikletës, ndërsa mjeti tjetër ishte duke u kthyer në krahun tjetër të rrugës. Drejtuesi i automjetit, 61-vjeçari M. P., u shoqërua në komisariat për veprime të mëtejshme nga grupi hetimor, i cili po vazhdon punën për të sqaruar detajet e aksidentit.