Pamje të reja të publikuara sot në media tregojnë momentin dramatik të bombardimit të urës së Karajit në Iran, e cila u godit nga sulmet ajrore amerikano-izraelite dhe u nda në dy pjesë. Videoja fikson çastin e shpërthimit të fuqishëm që godet strukturën, duke lënë pas një skenë shkatërrimi masiv.
Sipas raportimeve të fundit, ura konsiderohej një nyje e rëndësishme infrastrukturore që lidh zonën e Teheranit me Karajin, ndërsa burime ndërkombëtare raportojnë se sulmi ka shkaktuar viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se ky është vetëm fillimi, duke deklaruar se “ka shumë më tepër që do të vijë” nëse Irani nuk tërhiqet.
Situata e luftës në Lindjen e Mesme mbetet tepër e tensionuar. Përplasjet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, me sulme të vazhdueshme ndaj infrastrukturës strategjike, ndërsa Irani ka reaguar me raketa dhe dronë ndaj objektivave në rajon.
Frika për zgjerimin e konfliktit po rritet nga dita në ditë, sidomos pas goditjeve pranë impianteve energjetike dhe kërcënimeve mbi Ngushticën e Hormuzit, që mund të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në tregjet globale të naftës.