Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qendër të qytetit të Shkodrës, ku një konflikt mes disa adoleshentësh ka degjeneruar në përdorimin e mjeteve prerëse.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur pranë zonës së shatërvanit. Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të plagosur dy të rinj: Enis Prez, 19 vjeç, dhe një 17-vjeçar me inicialet E.SH. Të dy janë goditur me thikë gjatë konfliktit dhe janë transportuar për të marrë ndihmë mjekësore.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se në sherr janë përfshirë disa të rinj, ndërsa situata ka dalë jashtë kontrollit brenda pak minutash, duke përfunduar në dhunë fizike dhe përdorim armësh të ftohta.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të përfshirë.
Policia po vijon kontrollet dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për konfliktin, ndërsa priten më shumë detaje në vijim mbi shkaqet që çuan në këtë përplasje të dhunshme.