Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, nga zona e “Nëntëkatësheve” pranë QSUT në Tiranë, ku sipas dëshmisë së një qytetarje, një qen po dhunohet sistematikisht nga një person endacak që e mban me vete.
Sipas denoncimit, individi në fjalë e tërheq kafshën zvarrë dhe ushtron dhunë ndaj saj në mënyrë të vazhdueshme, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes. Situata raportohet të jetë përkeqësuar së fundmi, kur një vajzë ka tentuar t’i marrë qenin për ta shpëtuar, por është përballur me kërcënime serioze me thikë nga i njëjti person, i cili më pas e ka rimarrë kafshën.
Banorët e zonës shprehen të alarmuar dhe bëjnë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet përkatëse, për të shpëtuar qenin nga dhuna dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Raportohet se personi që dhunon kafshën fle në një banesë të braktisur pranë zonës së QSUT dhe lëviz shpesh në zonën e “Nëntëkatësheve”.
Qytetarët kërkojnë që kushdo që e sheh këtë person, të njoftojë menjëherë autoritetet ose organizatat për mbrojtjen e kafshëve, me qëllim që t’i hiqet qeni dhe t’i jepet fund kësaj situate të rëndë.