Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është futur në një qorrsokak të rrezikshëm, duke pësuar një frenim të fortë që lidhet drejtpërdrejt me ngjarjet politike në Tiranë. Burime diplomatike bëjnë me dije për mediat se votimi i 12 marsit në Parlament, ku mazhoranca socialiste rrëzoi me 82 vota kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, është shndërruar në një "mollë sherri" në Bruksel.
Ky akt, për të cilin qeveria ishte paralajmëruar nga zëra të fuqishëm europianë dhe ambasada perëndimore, ka udhëtuar drejt qendrës së BE-së si një dëshmi e dështimit të reformës në drejtësi, duke e kthyer një përplasje të brendshme në një krizë besimi ndërkombëtar.
Mediat kanë mësuar se gjatë diskutimeve të datës 1 prill në COELA, grupi i punës i Këshillit të BE-së që merret me zgjerimin, plot 9 vende anëtare kanë ngritur "flamuj të kuq" kundër avancimit të Shqipërisë. Gjermania, Holanda, Suedia, Austria, Finlanda, Luksemburgu, Polonia, Greqia dhe Bullgaria kanë shprehur rezerva serioze, duke vënë në dyshim nëse shteti i së drejtës funksionon realisht apo mbetet peng i vullnetit politik të kryeministrit.
Ndërsa Komisioni Europian tentoi të mbante një qëndrim teknikisht pozitiv, duke argumentuar se vendi ka bërë progres, pesha politike e mosbesimit nga këto 9 shtete ka peshuar më rëndë, duke e lënë Shqipërinë në vendnumëro përsa i përket raportit IBAR, që është filtri kritik për hapjen dhe mbylljen e kapitujve.
Skepticizmi i vendeve anëtare është i ndarë në disa fronte: Polonia ka shprehur shqetësime për klimën e biznesit, Greqia dhe Bullgaria për të drejtat e pakicave dhe pronat, ndërsa Austria ka vënë në shënjestër çështje si skandali IPARD.
Megjithatë, përtej detajeve teknike, kuptohet qartë se mbrojtja "parzmore" që Edi Rama i bëri zëvendëskryeministres së tij përballë drejtësisë së re, ka rrënuar imazhin e Shqipërisë si një vend që lufton vërtet korrupsionin. Ky bllokim bëhet edhe më i dhimbshëm kur krahasohet me Malin e Zi, i cili arriti ta kalonte me sukses filtrin e IBAR-it, duke e lënë Tiranën zyrtare të vetmuar në prapambetjen e saj integruese.
Pavarësisht kësaj situate kritike, kryeministri Rama vazhdon të shfaqë një optimizëm që nuk përputhet me realitetin e Brukselit, duke deklaruar se "dera është e hapur", ndërkohë që opozita e sheh këtë si një bllokim të drejtpërdrejtë të shkaktuar nga shndërrimi i qeverisë në një mbrojtëse të zyrtarëve të korruptuar.
Diskutimet pritet të vijojnë më 7 dhe 9 prill, ku Shqipërisë do t’i duhet të përballet me më shumë pyetje, kushte dhe verifikime të rrepta. E vërteta mbetet se qeveria ishte paralajmëruar për pasojat, por zgjodhi të mbronte individin përpara interesit kombëtar, duke e bërë emrin e Belinda Ballukut simbolin e pengimit të ëndrrës europiane të shqiptarëve.