Bordi ua fut sa krahu shqiptarëve: Rritet sërish çmimi i naftës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.04.2026, 18:24

Nuk ka asnjë moment qetësie për portofolat e shqiptarëve, pasi Bordi i Transparencës ka goditur sërish me vendimin e radhës këtë të premte, duke rritur çmimet e karburanteve në vend. Pavarësisht premtimeve për stabilitet, nga mbledhja e sotme ka dalë lajmi i zi për të gjithë ata që përdorin automjetet: nafta do të shtrenjtohet sërish, duke e çuar çmimin e shitjes me pakicë në plot 224 lekë për litër.

Ky vendim vjen si një "dush i ftohtë" për konsumatorët, të cilët shpresonin për një ulje, por që në fakt do të përballen me një realitet edhe më të rëndë në pikat e karburantit.

Sipas skemës së re të çmimeve të diktuar nga Bordi, gazoili i standardit SSH EN 590 do të tregtohet me pakicë jo më shumë se 224 lekë/litër, ndërsa për tregtinë me shumicë çmimi është fiksuar në 212 lekë/litër.

Edhe pse autoritetet tentojnë ta shesin këtë rritje si të "zbutur" nga ulja e akcizës me 20% dhe një reduktim i TVSH-së prej 9.5 lekësh për litër, shifrat në tabelat e karburanteve tregojnë të kundërtën për xhepin e qytetarit të thjeshtë, i cili po paguan gjithmonë e më shtrenjtë për të lëvizur.

Nuk ka shpëtuar nga kjo valë shtrenjtimi as benzina, e cila tashmë do të shitet me pakicë për 181 lekë për litër, ndërsa me shumicë do të kushtojë 169 lekë. Këto çmime të reja nuk do të presin asnjë ditë, por do të hyjnë në fuqi që mbrëmjen e sotme, datë 3 prill, ekzaktësisht në orën 20:00.

Bordi ka njoftuar se këto nivele do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e radhës, duke i lënë qytetarët në pritje të goditjes së radhës që mund të vijë nga luhatjet e tregut.

Në fund, Bordi ka lëshuar edhe kërcënimet e zakonshme për operatorët e tregut, duke u kujtuar se kushdo që guxon të shesë mbi këto çmime tavan do të përballet me pezullim të menjëhershëm të aktivitetit.

Ndërkohë që ministritë e linjës deklarojnë se po mbrojnë interesat e konsumatorëve dhe konkurrencën e ndershme, në rrugë qytetarët ndiejnë vetëm peshën e rëndë të çmimeve që nuk njohin ulje, duke e bërë jetesën çdo ditë e më të papërballueshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit