Një incident i rëndë është shënuar këtë mbrëmje në Shkodër, ku një përplasje mes dy të rinjve ka përfunduar me dy persona të plagosur.
Burime paraprake bëjnë me dije se rreth orës 19:50, dy të rinj, një 19-vjeçar me inicialet E. P. dhe një 17-vjeçar janë paraqitur për trajtim në Spitali Rajonal i Shkodrës. Dyshohet se ata kanë marrë plagë nga një mjet prerës gjatë konfliktit.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në lagjen "Qemal Stafa", ku sipas të dhënave të para, përplasja ka përfshirë disa të rinj, shumica e të cilëve mendohet të jenë nën moshë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të identifikuar personat e përfshirë, ndërsa ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të të plagosurve.