Një tjetër goditje ndaj arkës së shtetit është regjistruar së fundmi në sektorin energjetik, duke konfirmuar se "monopoli" i kompanive pranë pushtetit nuk njeh kufij moralë e ligjorë jo e jo...
Ardit Metaliaj, njeriu që deri dje njihej si "mbreti i rrugëve" përmes firmës "4 A-M", ka shtrirë tashmë influencën e tij mbi telat e tensionit të lartë, duke përfituar shifra marramendëse nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) Korçë.
Drejtoria Rajonale e OSSH në Korçë ka qenë edhe më herët nën lupën e kritikave për mënyrën e menaxhimit të tenderëve me në krye Anisa Ducin, Elizeta Shehun dhe Robert Kocon.
Sipas të dhënave që disponohen, bëhet fjalë për një tender me vlerë mbi 1.1 miliardë lekë (të vjetra) për lotin e tretë të rrjetit 20 kV në Pogradec. Ajo që e bën këtë procedurë të duket si një "pazar i paracaktuar" është mungesa totale e konkurrencës dhe afërsia e frikshme e ofertës fituese me fondin limit.
Në zyrat e OSSH Korçë, procedura e quajtur "e hapur" rezultoi në fakt një duel formal. Në tavolinë u paraqitën vetëm dy kompani: "4 A-M shpk" dhe "REJ shpk". Oferta Fituese ishte 114,608,714 lekë (rreth 98% e vlerës maksimale) me Fond Limit 116,980, 553 lekë.
Kjo diferencë minimale prej vetëm 2%, sipas ekspertëve të prokurimeve, është "simptoma" klasike e një tenderi ku fituesi është përcaktuar përpara se të hapej zarfi.
Pyetja që lind natyrshëm është: Si është e mundur që një kompani ndërtimi rrugësh fiton me kaq lehtësi projekte komplekse elektrike?
Nuk është më sekret që emri i Ardit Metaliajt shfaqet kudo ku ka fonde të majme publike, por lidhja e tij e fortë me dikasterin që drejtohet nga Belinda Balluku ngre dyshime serioze për një skemë të pastër korruptive. Transferimi i miliona eurove nga asfaltimi i rrugëve drejt infrastrukturës energjetike tregon për një kontroll kapilar të ekonomisë nga një grup i ngushtë njerëzish.
Paratë e OSSH (që dalin direkt nga xhepat e konsumatorëve) shkojnë për të ushqyer "klientët" e preferuar të qeverisë.
Ky rast nuk është thjesht një procedurë administrative e dyshimtë, por një dëshmi e "kapjes së shtetit". Kur të njëjtët emra qarkullojnë në çdo tender strategjik, nga rrugët te energjia, transparenca kthehet në një përrallë për konsum publik.
A do të mjaftojnë këto fakte flagrante që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të nisë një hetim për pastrimin e parave dhe shpërdorimin e detyrës në majat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë? Apo Metaliaj dhe "4 A-M" do të vazhdojnë të jenë të paprekshëm, duke gllabëruar çdo qindarkë që mbetet në arkën e shtetit?