Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ballë të shkallës Rihter goditi në orët e para të mëngjesit të së enjtes Detin Molucca, pranë ishullit Ternate në Indonezi, duke shkaktuar panik dhe dëme në disa zona.
Sipas autoriteteve, lëkundja u regjistrua në orën 06:48 me orën lokale, në një thellësi prej 35 kilometrash. Epiqendra ndodhej afërsisht në mes të ishujve Ternate dhe Manado.
Bilanci paraprak flet për një viktimë dhe një të plagosur. Një grua 70-vjeçare humbi jetën pasi u godit nga rrënojat e një ndërtese, ndërsa një tjetër person theu këmbën pasi u hodh nga një godinë gjatë momenteve të panikut.
Pas tërmetit, Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor lëshoi menjëherë alarm për valë të mundshme nën 30 centimetra përgjatë brigjeve të rajonit, përfshirë edhe Filipinet, Japoninë dhe Malajzinë. Megjithatë, rreth dy orë më vonë autoritetet e hoqën paralajmërimin, pasi rreziku u vlerësua si i ulët.
Pamjet nga ekipet e kërkim-shpëtimit në Manado tregojnë qytetarë që ecin mes rrënojave të një kompleksi sportiv, ndërsa dëgjohen thirrje paniku dhe britma. Disa banorë thanë se ky ishte një nga tërmetet më të forta që kanë ndjerë në vitet e fundit.
Indonezia ndodhet në të ashtuquajturin “Unaza e Zjarrit” e Paqësorit, një nga zonat më aktive sizmike në botë, ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.