Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast shqetësues që lidhet me sigurinë ushqimore.
Ajo ka dërguar një video ku shfaqet, sipas pretendimit të saj, një kos frutash Zottis i blerë në Big Market, ku në pamje vihet re prania e mykut në produkt. Qytetarja ka dërguar gjithashtu edhe kuponin tatimor, i cili sipas saj vërteton blerjen e kryer pak minuta më parë.
Në videon e dërguar në redaksi, ajo shprehet:
“Përshëndetje JOQ! Sapo e bleva këtë kosin te City Park. Dhe ja urdhëro, komplet i mykur. Domethënë e kam blerë në orën 5:30, jemi në orën 6:15, dhe ishte komplet i mykur. Ja shikojeni.”
Më pas, në mesazhin shoqërues, qytetarja i bën thirrje Autoriteti Kombëtar i Ushqimit që të ndërhyjë dhe të ushtrojë kontroll ndaj subjektit në fjalë:
“Kaloni naj herë nga Big Market te City Park, i thuaj AKU… se na mbytën me myk.”
Ky nuk është rasti i parë që qytetarët denoncojnë problematika të tilla në lidhje me produktet e këtij rrjeti supermarketesh. JOQ Albania ka raportuar edhe më herët raste të shumta ankesash për produkte të skaduara, të prishura apo me cilësi të dobët në pika të ndryshme të Big Market.
Rasti i fundit ngre sërish pikëpyetje mbi standardet e kontrollit, ruajtjes dhe ekspozimit të produkteve ushqimore për konsumatorët.
Mbetet për t’u parë nëse do të ketë një reagim nga ana e subjektit në fjalë, si edhe nga autoritetet përgjegjëse për sigurinë ushqimore.