Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Lushnjës, ku shoferi i furgonit të shkollës, Thoma Kovaçi, është arrestuar nën akuzën e ngacmimit seksual ndaj një nxënëseje. Arrestimi u bë mbrëmjen e 31 marsit, pas denoncimit të familjarëve të vajzës që frekuentonte shkollën jopublike, të cilët kërkuan ndërhyrjen e menjëhershme të policisë.
Sipas dëshmive, ngacmimet kanë ndodhur gjatë transportit të vajzës nga banesa për në shkollë, ndërsa 16-vjeçarja rrëfeu gjithçka për familjarët e saj. Prindërit menjëherë kontaktuan forcat e rendit, duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe përgjegjësinë e autorit.
Për të siguruar një proces ligjor të rregullt, e mitura u mor në pyetje në praninë e psikologes, ku konfirmoi versionin e saj të ngjarjes. Kjo dëshmi shërbeu si bazë kryesore për arrestimin e shoferit dhe për nisjen e procedurave të mëtejshme hetimore.