Presidenti i FIFA-s: Irani do të marrë pjesë në Kupën e Botës, do t’i luajë ndeshjet në SHBA

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 31.03.2026, 20:15

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka shuar çdo dyshim mbi pjesëmarrjen e Iranit në Kupën e Botës 2026, duke konfirmuar se ndeshjet e përfaqësueses iraniane do të luhen në Shtetet e Bashkuara, ashtu siç është parashikuar nga shorti.

Deklarata e Infantinos vjen pas spekulimeve të forta në javët e fundit, të nxitura nga lufta mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, që kishte hedhur dyshime mbi sigurinë dhe zhvillimin normal të turneut.

Federata iraniane e futbollit kishte bërë të ditur më herët se po diskutonte me FIFA-n mundësinë e zhvendosjes së ndeshjeve të saj nga SHBA drejt Meksikës, për shkak të tensioneve të luftës. Edhe presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, kishte shprehur gatishmërinë për të pritur ndeshjet e fazës së grupeve nëse do të ishte e nevojshme.

Megjithatë, kreu i qeverisë botërore të futbollit ka qenë i prerë:

“Ndeshjet do të luhen aty ku duhet të luhen, sipas shortit,” deklaroi ai.

Sipas kalendarit aktual, Irani do ta nisë rrugëtimin në Grupin G më 15 qershor në Los Angeles kundër Zelandës së Re, për të vijuar më pas me përballjet ndaj Belgjikës dhe Egjiptit, gjithashtu në SHBA.

Infantino theksoi gjithashtu se nuk ekziston asnjë plan alternativ për përjashtimin apo zhvendosjen e ekipit.

“Irani do të jetë në Kupën e Botës. Nuk ka plan B, C apo D,” është shprehur ai.

Deklarata e tij vjen edhe pasi presidenti amerikan Donald Trump kishte lëshuar më herët mesazhe kontradiktore, duke thënë fillimisht se Irani ishte i mirëpritur, por më pas duke deklaruar se udhëtimi i ekipit “mund të mos ishte i sigurt për jetën e tyre”.

Ndërkohë, vetë FIFA ka bërë të qartë se synon ta zhvillojë turneun sipas planit, me pjesëmarrjen e të gjitha skuadrave të kualifikuara, pavarësisht tensioneve gjeopolitike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit