Kombëtarja shqiptare niset sot për ndeshjen miqësore me Ukrainën në Valencia, ku priten disa ndryshime në formacionin e minutës së parë. Mungesat vijnë si pasojë e dëmtimeve, por edhe për të dhënë mundësi lojtarëve që nuk kanë pasur shumë minuta loje.
Qendra e mbrojtjes është më e prekur, pasi përkrah kapitenit Berat Gjimshiti, nuk mund të luajnë as Ajeti dhe as Ismajli, të cilët janë të lënduar dhe kanë lënë grumbullimin. Në vend të tyre, duket se pritet të aktivizohet Çake, i provuar më parë në këtë rol.
Edhe krahët e mbrojtjes mund të kenë lëvizje, me Balliun dhe Pilon që mund të zëvendësojnë Hysajn dhe Mitajn. Në mesfushë nuk priten ndryshime pas largimit të Ramadanit për arsye familjare, me Shehun, Asllanin dhe Laçin që pritet të startojnë nga minuta e parë.
Në sulm, trajneri Sylvinho deri tani ka parashikuar Mehmetin dhe Hoxhën në krahë, ndërsa qendra mund të jetë e ndarë mes Brojës dhe Uzunit.
Megjithatë, Sylvinho dhe stafi i tij kanë ende disa orë për të vendosur formacionin zyrtar dhe nuk përjashtohen surprizat, edhe pse trajneri ka deklaruar në konferencë se planifikon pak ndryshime.
Ndeshja miqësore Ukrainë–Shqipëri nis sot në orën 20:45.