Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një mesazh të ashpër ndaj aleatëve të SHBA-së, duke u kërkuar vendeve europiane që të sigurojnë vetë furnizimet me naftë përmes Ngushticës së Hormuzit, pas përshkallëzimit të konfliktit me Iranin.
Në një postim të publikuar të martën në Truth Social, Trump iu drejtua veçanërisht vendeve që, sipas tij, refuzuan të përfshihen në operacionin ushtarak kundër Iranit, si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.
“Blini nga SHBA, ne kemi mjaftueshëm, ose shkoni në Ngushticën e Hormuzit dhe merreni vetë”, shkroi ai.
Deklarata e tij vjen në një moment kritik, pasi Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, ku kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë, është bllokuar pothuajse plotësisht nga Irani që prej nisjes së operacionit të përbashkët SHBA-Izrael në fund të shkurtit.
Si pasojë, çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare, ndërsa çmimi mesatar i karburantit në SHBA ka kaluar nivelin e 4 dollarëve për gallon, niveli më i lartë që prej vitit 2022.
Trump ka shprehur hapur zemërimin ndaj aleatëve të NATO-s dhe Bashkimit Europian, të cilët, sipas raportimeve, kanë refuzuar të marrin pjesë në sigurimin e kësaj rruge detare strategjike.
“Duhet të mësoni të luftoni për veten tuaj. SHBA nuk do të jetë më aty për t’ju ndihmuar,” paralajmëroi ai.
Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mbështeti qëndrimin e presidentit, duke theksuar se kjo rrugë ujore është një çështje ndërkombëtare dhe jo vetëm një barrë për marinën amerikane.
Mesazhi i ashpër i Trump ka shtuar edhe më shumë tensionet me partnerët europianë, të cilët e kanë cilësuar retorikën e tij si kontradiktore dhe të paqartë, sidomos në një moment kur lufta në Lindjen e Mesme vazhdon të tronditë tregjet globale.