Terror në Kavajë: I riu kërcënoi klientët me armë dhe dhunoi pronarin e lokalit, kapet pas ndjekjes si nëpër filma

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 29.03.2026, 19:49

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në Kavajë, ku një 28-vjeçar ka terrorizuar klientët e një lokali dhe ka dhunuar pronarin, përpara se të largohej me shpejtësi nga vendngjarja.

Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 09:40, i riu, i identifikuar si Murat Curri, ka hyrë i armatosur në një bar-kafe në lagjen nr. 2, ku ka kanosur me armë zjarri dy klientë dhe ka goditur me qytën e pistoletës pronarin e lokalit, një 64-vjeçar me inicialet S.V.

Si pasojë e dhunës, i moshuari ka pësuar lëndime të lehta dhe ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Menjëherë pas ngjarjes, 28-vjeçari është larguar me shpejtësi me automjetin e tij tip “Range Rover”, duke shkaktuar edhe dëme gjatë arratisjes. Gjatë lëvizjes me shpejtësi të lartë, ai është përplasur me dy automjete të tjera dhe një trafikndarëse, duke humbur përkohësisht kontrollin e mjetit.

Në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, autori ka braktisur automjetin dhe është larguar në këmbë, ndërsa armën e zjarrit e ka hedhur në një kanal anës rrugës. Pistoleta u gjet më pas nga policia dhe u sekuestrua si provë materiale.

Pas disa orësh kërkimesh intensive dhe ndjekjeje të koordinuar nga strukturat policore, i riu u lokalizua dhe u arrestua në një hotel në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Gjatë kontrollit, në automjetin e tij u gjet edhe një krehër me municion luftarak.

Burime zyrtare bëjnë me dije se 28-vjeçari rezulton person me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje që tronditi qytetin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit