"Mbaje fytyrën nga drita dhe hijet mbeten pas." Ky ishte mesazhi i fundit i Elisa Spiropalit, pas një periudhe tensioni të thellë brenda Partisë Socialiste, që kulmoi me shkarkimin e saj më 21 mars. Mesazh i koduar, ky postim ka ardhur pas përplasjeve të forta që ajo pati me kryeministrin Edi Rama dhe disa ministra të tjerë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS dhe qeverisë.
Përplasjeja ka ndodhur ditën e martë, gjatë fjalës së ministres Erjona Ismaili për marrëdhëniet e Kuvendit me qeverinë. Spiropali ka ndërhyrë në mënyrë të papritur, duke kërkuar më shumë respekt për deputetët. Ky veprim ka shkaktuar një reagim të ashpër nga Rama, i cili i ka thënë: "Ti mos e hap gojën fare. Ti një herë mos fol fare, të paktën në prezencën time."
Tensionet janë rritur më tej kur Spiropali qeshi gjatë fjalës së ministres Ismaili, duke shkaktuar një tjetër përplasje verbale me të. Ismaili, në mënyrë të qartë, i është drejtuar Spiropalit me fjalët: “Zonja Spiropali, s’ke pse qesh”. Rama ndërhyri më pas, duke i thënë Spiropalit: “Pse zgërdhihesh? Ti je më keq!” dhe e paralajmëroi: “Mos më provoko të të nxjerr përjashtë.”
Kjo përplasje është pjesë e një rivaliteti të thelluar brenda Partisë Socialiste, ku Spiropali, dikur një mbështetëse e fortë e Ramës, ka parë gjithnjë e më shumë një tendencë të prapaskenave që favorizojnë ministra të tjerë, veçanërisht Belinda Ballukun. Sherret nisën kur Rama, bashkë me Ballukun shkarkoi dhe Elisa Spiropalin. Një konkurrencë e thelluar për pushtet dhe për vëmendjen e Ramës duket se ka çuar në shpërthimin e tensioneve mes tyre.
