Sot bëhet një vit që Shqipëria u trondit nga një skandal i rëndë ushqimor, ku më 29 mars 2025, u zbulua se 13.1 ton mish pule i kontaminuar me salmonelë ishte shpërndarë në tregun shqiptar, duke rrezikuar jetën e mijëra qytetarëve.
Më 11 mars 2025, një ngarkesë prej 18.3 tonësh mish pule nga Brazili kishte mbërritur në Portin e Durrësit, por ndonëse u konfirmua prania e salmonelës në mostrat e analizave, vetëm 5.2 ton u bllokuan nga autoritetet. Pjesa tjetër, 13.1 ton, pa asnjë paralajmërim u shpërnda në treg dhe përfundoi në dyqanet dhe restorantet shqiptare nga 11 marsi 2025 deri në 29 mars 2025.
Ky skandal ka tronditur besimin e qytetarëve në sigurinë ushqimore, pasi institucioni përgjegjës, AKU, nuk ndërmori veprime urgjente për të ndaluar shpërndarjen e produktit të rrezikshëm, duke heshtur për një javë të tërë. Disa ditë pas shpërndarjes, u bë e qartë se ky mish i kontaminuar ishte konsumuar nga qytetarët shqiptarë, ndërsa AKU u përpoq të minimizonte skandalin duke i referuar çështjen në Prokurorinë e Tiranës, pa përmendur emrin e kompanisë përgjegjëse.
Pas një viti, kompania AMG FOOD, (diMal shpk) e drejtuar nga Mondi Goxha, kërkon shfuqizimin e masave administrative dhe pret që të lirohet nga përgjegjësia për këtë skandal të madh, duke e konsideruar të pabazuar dënimin e saj. I njëjti pronar që dikur shihej si model suksesi nga ish-ministrja Frida Krifca e cila i dha mbi 4 milionë euro për investime në sektorin e përpunimit të mishit, duket se vazhdon të trajtojë ligjin si pengesë dhe jo si kufi për rrezikun ndaj konsumatorëve. Shqiptarët, nga ana tjetër, mbeten viktima të këtij abuzimi dhe të indiferencës institucionale.
Një vit më pas, qytetarët shqiptarë mbeten viktima të papërgjegjshmërisë, kur një kompani që ka përfituar fonde të mëdha dhe ka pretenduar standarde të larta, i ka shitur produkte të rrezikshme dhe ka shpërfillur sigurinë e konsumatorëve. Ky është një tjetër shembull i dështimit të thellë të autoriteteve për të mbrojtur shëndetin publik dhe të pasigurisë ushqimore që mbizotëron në Shqipëri.