Lëvizjet e dyshimta me skuter e “tradhtuan”, si u kap me kokainë i riu shqiptar në Itali

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 28.03.2026, 17:35

Një 26-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia në Itali pasi u kap me një sasi të konsiderueshme kokaine, e cila dyshohet se ishte gati për t’u shpërndarë në treg. Arrestimi u krye në zonën e Miramares në qytetin e Riminit, pas një operacioni të policisë që synonte goditjen e shpërndarjes së drogës.

Sipas mediave italiane, gjithçka ndodhi pasditen e 27 marsit, kur agjentët e policisë vunë re një të ri që lëvizte disa herë në mënyrë të dyshimtë në zonë me një skuter. Sjellja e tij tërhoqi vëmendjen e efektivëve, të cilët vendosën ta ndiqnin për të kuptuar më mirë aktivitetin e tij.

Gjatë vëzhgimit, policët konstatuan se i riu hynte dhe dilte vazhdimisht nga një ndërtesë pranë spitalit të qytetit, ku më vonë u verifikua se banonte. Më pas ai u drejtua drejt zonës bregdetare në jug të qytetit, moment kur policia ndërhyri dhe e ndaloi për kontroll.

Gjatë kontrollit personal, në xhepin e pantallonave iu gjetën 6 doza kokaine, ndërsa në një çantë të vogël mbante edhe 2400 euro cash, të ndara në kartëmonedha me prerje të ndryshme.

Kontrolli vijoi edhe në banesën e tij, ku policia zbuloi një sasi edhe më të madhe droge. Brenda shtëpisë u gjetën 4 pako të mbyllura me vakum dhe 15 zarfe të tjera me kokainë, të përgatitura për shitje. Sasia totale e drogës së sekuestruar arrinte rreth 500 gramë. Në banesë u sekuestruan gjithashtu edhe para të tjera cash dhe materiale të përdorura për paketimin e dozave.

Sipas policisë, 26-vjeçari rezulton i padënuar më parë, por ndodhej në mënyrë të parregullt në territorin italian. Pas arrestimit ai u dërgua në burgun lokal në Rimini, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për dëbimin e tij nga Italia.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit