Gjykata e Shkodrës ka shpallur vendimin për tre të pandehurit e përfshirë në konfliktin e ndodhur më 3 qershor 2024, ku mbeti i dhunuar me sende të forta Vladimir Bruçi.
Për këtë ngjarje, Izmir Sakica u shpall fajtor për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Fillimisht ai u dënua me 4 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me një të tretën, duke përfunduar në 2 vite e 8 muaj heqje lirie.
Ndërkohë, Samuel Troshani dhe Arlind Kajoshi u shpallën fajtorë për “Prishjen e qetësisë publike” në bashkëpunim dhe u dënuan me nga 2 vite burg secili. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi për secilin u reduktua në 16 muaj burg. Të dy ata u shpallën të pafajshëm për akuzat që lidhen me armëmbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve apo municioneve.
Ngjarja e dhunës ndaj Vladimir Bruçit ndodhi rreth mesditës së 3 qershorit 2024 në rrugën “Pogej”, në lagjen Rus të Shkodrës. Sipas hetimeve, ai u sulmua nga disa persona me sende të forta, duke pësuar dëmtime të shumta, kryesisht në kokë. Në konflikt u përfshinë Edmond Sakica, Izmir Sakica, Samet Halluni, Arlind Kajoshi, Samuel Troshani dhe Alban Bruçi, ky i fundit djali i viktimës.
Shkak për përplasjen dyshohet të ketë qenë një konflikt i mëparshëm mes palëve për një vend parkimi. Pas dhunës, 62-vjeçari u transportua në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa autoritetet nisën menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Kujtojmë se Samuel Troshani dhe Izmir Sakica janë përfshirë edhe në një tjetër ngjarje të rëndë, ku pati shkëmbim zjarri. Incidenti ndodhi më 23 gusht të po atij viti, teksa ata lëviznin në fshatin Bushat me një automjet tip “Audi A8” të blinduar, në pronësi të Safet Bajrit.
Fillimisht, ata deklaruan se ishin sulmuar me armë nga persona të paidentifikuar, por hetimet zbuluan se në fakt kishte pasur shkëmbim zjarri mes dy palëve.