Pas lajmit të publikuar më herët nga JOQ Albania, bazuar në njoftimin zyrtar të Policisë së Lezhës, ku thuhej se një 30-vjeçare ishte kallëzuar nga ish-bashkëshorti i saj për “braktisjen e 3 fëmijëve të saj të mitur”, ka ardhur reagimi i vetë nënës, e cila jep një version krejt tjetër të ngjarjes.
Në një mesazh të dërguar në redaksinë tonë, ajo mohon kategorikisht akuzat për braktisje, duke deklaruar se ndodhet jashtë Shqipërisë për një vizitë 30-ditore për arsye të rëndësishme familjare që lidhen me të ardhmen e fëmijëve të saj.
Sipas 30-vjeçares, ky denoncim është pjesë e një përndjekjeje dhe shantazhi 7-vjeçar nga ish-bashkëshorti, i cili sipas pretendimeve të saj, nuk ka paguar asnjë qindarkë për rritjen e tre fëmijëve që nga dita e ndarjes.
Ajo thekson se fëmijët jetojnë me të dhe familjen e saj, duke hedhur poshtë çdo pretendim për braktisje.
Reagimi i plotë i nënës:
“Përshëndetje JOQ! Personi për të cilin po flisni në këtë lajm jam unë. Unë nuk i kam braktisur fëmijët e mi, madje jam me ta, jetoj me ta dhe flas me ta në çdo moment. Fëmijët e mi jetojnë me mua dhe me familjen time.
Aktualisht ndodhem jashtë Shqipërisë për një vizitë 30-ditore për arsye të rëndësishme familjare që lidhen me të ardhmen e fëmijëve të mi.
Denoncimi vjen nga ish-bashkëshorti im, i cili nuk e bën këtë për herë të parë. Ka 7 vite, që nga dita që jemi ndarë, që më përndjek, më shantazhon dhe më diskriminon në çdo lloj forme të mundshme. Është ai i cili nuk ka paguar qoftë edhe një qindarkë të vetme për të tre fëmijët, që nga dita e ndarjes e deri më sot.
Është ai, të cilit çdo ditë e çdo moment i pjell mendja vetëm prapësi, se si mund ta bëjë nënën e fëmijëve të vuajë e të diskriminohet në çdo komisariat, televizion apo rrjet social. Është ai, i cili me këtë denoncim kërkon thjesht të më sjellë disa telashe për pakënaqësitë e tij momentale. Ju betohem dhe ju garantoj në çdo moment, që ai nuk është një baba i kujdesshëm për fëmijët e tij dhe nuk është interesuar asnjëherë për të mirën e tyre, por vetëm për t'u hakmarrë ndaj nënës së tyre. Arsyeja pse jam ndarë ka qenë dhuna dhe pija e tepërt, për hir të fëmijëve dhe për veten time.”
Në një komunikim të mëtejshëm me redaksinë, ajo shton se rasti i denoncimit nuk është i pari, duke pretenduar se edhe më herët ish-bashkëshorti ka bërë kallëzime të ngjashme, të cilat sipas saj janë rezultuar të pavërteta pas verifikimeve institucionale.
Ajo thekson gjithashtu se është kujdestare ligjore e fëmijëve dhe se ka respektuar çdo detyrim, ndërsa kërkon mirëkuptim nga publiku dhe shmangie të paragjykimeve.
Ndërkohë, edhe motra e saj ka reaguar për JOQ Albania, duke mbrojtur versionin e 30-vjeçares:
“Përshëndetje! Doja të bëja një kërkesë lidhur me lajmin e publikuar për një nënë 30-vjeçare. Ajo i ka lënë fëmijët me nënën e saj, pasi i ashtuquajturi babai i fëmijëve dhe denoncuesi nuk paguan asnjëherë detyrimet ushqimore.
Nuk duhet të bazoheni te njerëz që hedhin akuza të tilla pa lidhje. Mendoni se sa femra vriten nga fjalët dhe mentaliteti i burrave dhunues, që duan t'i mbajnë nën kontroll edhe pas 7 viteve ndarje. Motra është në një gjendje shumë të keqe nga ky lajm. Duhet menduar për pasojat, pasi ky denoncim vjen nga njerëz që nuk kanë konceptin as të jetës dhe as të familjes.”
Ky reagim vjen pas publikimit të lajmit të bazuar në burime zyrtare policore. Si media, JOQ Albania i jep hapësirë të dyja palëve, duke bërë publik edhe versionin e nënës dhe familjarëve të saj.
Çështja mbetet në hetim nga organet përkatëse, të cilat do të përcaktojnë rrethanat dhe vërtetësinë e pretendimeve të ngritura nga të dyja palët.