Prokuroria e Tiranës ka zyrtarizuar mbylljen e hetimeve për njërën prej dosjeve më komplekse të mashtrimit ekonomik dhe pastrimit të parave në vitet e fundit, duke dërguar për gjykim administratorin e rrjetit "TIBO", Adnand Mahmuti.
Pas një pune hetimore gati trevjeçare të udhëhequr nga prokurorët Ndini Tavani dhe Mirela Zavalani, organi i akuzës ka arritur të rindërtojë një skemë të mirëfilltë kriminale që shtrihet nga pirateria televizive deri te mashtrimet me vlera marramendëse.
Nëse Gjykata e Tiranës do të konfirmojë akuzat e rënda, Mahmuti rrezikon një dënim deri në 15 vite burg, kryesisht për shkak të nenit 287 të Kodit Penal që ndëshkon pastrimin e produkteve të veprës penale.
Shtylla e këtij procedimi penal është mashtrimi i një biznesmeneje shqiptaro-gjermane, Mirlinda Heidorn, së cilës Mahmuti i mori përmes gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit shumën prej 2.2 milionë eurosh.
Këto para, të përfituara nga shitja e një pasurie të paluajtshme, u kërkuan si hua me pretendimin se do të investoheshin në projekte teknologjike për transmetimet e Serie A dhe evente të tjera sportive përmes kompanive "Magoware" dhe "Oversport".
Megjithëse hetimi vërtetoi se grupi i kompanive "TIBO" kishte likuiditet të mjaftueshëm për ta shlyer këtë detyrim, paratë nuk u kthyen kurrë te pronarja legjitime, por u qarkulluan në cash jashtë sistemit bankar për të fragmentuar gjurmët financiare.
CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 82
Një rol qendror në këtë histori luan bashkëshortja e të pandehurit, noterja Albana Karadaku (Mahmuti), e cila etiketohet në dosje si "noterja e krimit". Dyshimet e forta të hetuesve tregojnë se çifti ka kryer një ndarje fiktive në gjykatë vetëm për të kamufluar pasuritë e përfituara nga aktiviteti kriminal.
Përmes zyrës së saj noteriale, Karadaku dyshohet se ka lehtësuar tjetërsimin e pronave, duke përdorur kontrata fiktive dhe noterizime të dyshimta për të kaluar llogari bankare dhe asete në emër të saj dhe të fëmijëve, me qëllim që t'i shpëtojë ato nga sekuestrimi i mundshëm.
Aktiviteti i saj është bërë pjesë edhe e dosjeve të SPAK-ut, duke vënë në pikëpyetje edhe heshtjen e Ministrisë së Drejtësisë për mosheqjen e licencës së saj.
Përveç mashtrimit të drejtpërdrejtë, hetimi ka zbuluar një kartel të vërtetë kompanish si "Tibo Communication", "Big FM", "Cloud Kitchen", "Black Monkey" dhe "PortoPalermo Estate", përmes të cilave dyshohet se janë pastruar shuma të mëdha parash.
Pasuritë e identifikuara përfshijnë një listë të gjatë: nga vilat pa leje në periferi të Tiranës dhe klinikat e botoksit të palicencuara, deri te trojet, lokalet dhe call center-at. Në këtë rrjet dyshohet se janë përfshirë edhe familjarë të tjerë si vjehrra N.K. dhe dhëndri J.K., të cilët kanë shërbyer si emra mbulues për bizneset e Mahmutit.
Në përfundim, Prokuroria ka ngritur akuza zyrtare jo vetëm ndaj Adnand Mahmutit, por edhe ndaj administratoreve të tjera të përfshira, si B.K. dhe M.G., si dhe ndaj personave juridikë (kompanive të grupit).
Kjo dosje ekspozon një skemë ku pirateria televizive dhe mashtrimi ekonomik janë gërshetuar me korrupsionin në zyrat e shtetit, përfshirë Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku janë bërë shit-blerje fiktive aksionesh madje edhe gjatë kohës që hetimet ishin në proces e sipër. Tani fjala i kalon gjykatës, ku beteja kryesore do të jetë nëse drejtësia do të arrijë të sekuestrojë realisht pasuritë e fshehura nën emrat e familjarëve apo ato do të mbeten në duart e rrjetit kriminal.
Njoftimi i plotë i prokurorisë
Në përfundim të hetimit të procedimit penal nr. 2156, të vitit 2023, të nisur pas kallëzimit të shtetases M.H., rezultoi se gjithçka nisi pasi shtetasi A.M. i kërkoi një hua kësaj shtetaseje 2.200.000 euro, të cilat ajo i kishte përfituar nga shitja e një pasurie të paluajtshme, me qëllim që ai dhe ortaku i tij S. G., t’i investonin në biznes.
Ky shtetas ishte aksioner në shoqërinë “Magoware” shpk me objekt të aktivitetit ndërtimin, mirëmbajtjen përpunimin e të dhënave kompjuterike. Sipas kontratës, shuma e marrë hua do të përdorej për realizimin e projektit të kërkuar nga “Supercapital Italia” dhe “Oversport” shpk për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe realizimin e projektit të transmetimeve nëpërmjet aplikacioneve softwerike si Android, IOS, etj, për eventet e Serie A dhe të tjera, për sezonet 2021-2024.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi A.M., ka përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit për të mashtruar kallëzuesen. Ai shfrytëzoi marrëdhënien miqësore si dhe pozitën e tij si administrator dhe ortak në një grup shoqërish (“Magoware” sh.p.k., “Tibo” sh.p.k., “Tibo AL” sh.p.k., “Tibo Communication” sh.p.k. dhe “Oversport” sh.p.k.), në dëm të shtetases M.H, duke mos zbatuar kontratën për të kthyer shumën e marrë hua si dhe interesat.
Nga tërësia e volumit të transaksioneve të kryera si në shoqërinë Magoware shpk, ashtu edhe në shoqërinë OverSport shpk, rezultoi se këto kompani kanë patur mundësi financiare të vazhdonin të likuidonin huanë e marrë nga shtetasja H.M., por nuk e kanë bërë. Gjithashtu edhe shoqëritë ‘Tibo Communcations’ dhe ‘Tibo AL’, apo edhe shoqëritë e tjera të lidhura me këto subjekte, kanë patur mundësi financiare për të kontribuar në kthimin e shumës së marrë.
Përsa më lart nga analiza e provave të administruara, rezulton se janë përmbushur të gjithë elementët objektivë të veprës penale të mashtrimit. Po kështu, edhe shtetasit B.K. administratore e “TIBO AL” sh.p.k, B.K., administratore e “Oversport” sh.p.k., M.G., administratoresë e “Oversport” sh.p.k, administrator i shoqërisë “Tibo Communications” si dhe S.G në cilësinë e administratorit të “Magoware”, kanë marrë pjesë në realizimin e mashtrimit përmes veprimeve duke penguar kthimin e shumës së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Ato kanë vepruar me dijeni të plotë për natyrën mashtruese të veprimeve të kryera.
Shtetasit në fjalë si dhe kompanitë, kanë konsumuar edhe veprën penale ‘Fshehja e të ardhurave’ si dhe ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’. Nga ekspertimi kontabël rezultoi se gjatë vitit 2022, shoqëria “TIBO” sh.p.k. admnistruar nga shtetasi A.M. ka paraqitur një rritje të konsiderueshme të detyrimeve afatshkurtra në zërin “Të tjera të pagueshme”, e cila nuk mbështetet në burime të ligjshme dhe nuk është shoqëruar me dokumentacion financiar provues. Në këto rrethana, rezultoi se A.M., në cilësinë e administratorit të “TIBO” sh.p.k., ka vepruar në kundërshtim të hapur me detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni tatimor dhe kontabël, duke mos reflektuar të ardhurat reale të subjektit dhe duke shmangur pagimin e tatimeve përkatëse dhe po kështu edhe personat e tjerë të përfshirë.
Në lidhje me veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ nga analiza e dokumentacionit rezulton se “TIBO” ka kryer transferime të shumta dhe të paarsyetuara ndërmjet shoqërive të grupit, përfshirë huadhënien prej 383.158.664 lekësh ndaj “Oversport”, pa faturim tatimor dhe pa pasqyrim në bilancet financiare si të drejtë arkëtimi. Këto vlera janë qarkulluar jashtë sistemit bankar, kryesisht në cash dhe janë shpërndarë ndërmjet shoqërive të lidhura, me qëllim fragmentimin e gjurmëve financiare dhe vështirësimin e identifikimit të origjinës së shumave që rrjedhin nga mashtrimi dhe fshehja e të ardhurave.
Për sa më sipër, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë rezultoi e provuar se të pandehurit kanë konsumuar veprat e mëposhtme:
A.M., ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
B.K., ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
S.G., ka konsumuar veprat penale “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
“MAGOWARE” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”’;
“OVER SPORT” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
“TIBO AL” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
“TIBO Communications” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”; dhe
“TIBO” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.