Një vit nga vrasja makabre e Iliarias, familja kërkon drejtësi: Vajza jonë mund të ishte shpëtuar

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 27.03.2026, 17:57

Një vit pas vrasjes së rëndë të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, familja e saj vijon të jetojë mes dhimbjes së thellë dhe kërkesës së pandërprerë për drejtësi.

Babai i saj, Flamur Sula, shprehet se tragjedia mund të ishte shmangur nëse do të kishte pasur një reagim tjetër nga familja e autorit. Ai lë të kuptohet se ndërhyrja në kohë do të kishte ndryshuar rrjedhën e ngjarjes, duke shpëtuar jetën e vajzës së tij.

E enjtja e 26 marsit shënon një vit nga krimi që tronditi opinionin publik. Sipas dëshmisë së dhënë nga i pandehuri në gjykatë, ngjarja ndodhi në fund të marsit, ndërsa për familjen Sula momenti më i dhimbshëm mbetet 29 marsi, dita kur Ilaria nuk u kthye më në shtëpi, duke shënuar fillimin e një makthi të pafund.

Autori i krimit ndodhet aktualisht në burg në pritje të vendimit përfundimtar, ndërsa nëna e tij është dënuar me dy vite burg për përfshirje në fshehjen e trupit, pas një marrëveshjeje me drejtësinë. Ky vendim nuk është pritur mirë nga familja e viktimës, e cila e konsideron të padrejtë dhe larg asaj që ata e quajnë drejtësi të vërtetë.

Dhimbja për humbjen mbetet e pashuar për familjen, e cila përballet çdo ditë me mungesën e vajzës së tyre. Nëna e saj, Gëzime Sula, e ka përkujtuar përmes një mesazhi prekës, duke e cilësuar si dritën e jetës së saj dhe një engjëll të paharrueshëm.

Në përkujtim të 22-vjeçares, në qytetin e Terni u organizuan aktivitete sensibilizuese kundër dhunës me bazë gjinore. Në qendrën “Casa delle Donne” u zhvilluan takime, lexime dhe prezantime artistike, ku u theksua rëndësia e edukimit dhe ndërgjegjësimit për të luftuar fenomene të tilla në shoqëri.

Aktivitetet u shoqëruan edhe me prezantimin e veprës artistike “Lule të Prera”, një simbolikë e jetëve të ndërprera në mënyrë tragjike nga dhuna.

Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj autorit vijon, teksa në seancat e fundit janë zbardhur detaje të reja mbi krimin dhe mënyrën e fshehjes së trupit. Seanca e radhës është caktuar për datën 19 maj, ndërsa familja pret që drejtësia të vihet në vend.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit