Shkruar nga: U Tafa | Publikuar më: 26.03.2026, 16:31
Një situatë e tensionuar është regjistruar në Fier, ku një qytetar kundërshton procesin e shpronësimit të tokës së tij, e cila sipas autoriteteve pritet të përdoret për zgjerimin e varrezave publike. Bëhet fjalë për Neim Tahirin, i cili deklaron se nuk do ta dorëzojë pronën pa një zgjidhje të drejtë dhe të pranueshme.
Tahiri pretendon se është pronar i ligjshëm i tokës dhe se disponon dokumente që vërtetojnë pronësinë, përfshirë çertifikata dhe dëshmi nga arkivat shtetërore që tregojnë se toka i përkiste familjes së tij prej dekadash. Sipas tij, sipërfaqja reale është rreth 10,300 metra katrorë dhe jo 8,300 metra katrorë, ndërsa thekson se bëhet fjalë për një ullishte të mbjellë nga të parët e familjes së tij dhe jo për tokë djerrë.
Qytetari kundërshton gjithashtu vlerën e kompensimit financiar, duke e cilësuar ofertën prej 40 mijë eurosh si të papranueshme. Ai pretendon se ka firmosur disa dokumente nën presion dhe kërkon që të kompensohet me një sipërfaqe tjetër toke, duke argumentuar se në zonë ka toka shtetërore të lira që mund të përdoren për këtë qëllim.
Tensionet u rritën më tej kur përfaqësues të bashkisë, të shoqëruar nga policia, shkuan në terren për të nisur prerjen e ullinjve në kuadër të zbatimit të vendimit për shpronësim. Në shenjë proteste, qytetari paralajmëroi veprime ekstreme, duke deklaruar se është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për të mos humbur pronën e familjes së tij.
Ai kërkon që institucionet të gjejnë një zgjidhje që të mos dëmtojë familjen e tij, duke theksuar se është i gatshëm të negociojë për një formë tjetër kompensimi që do t’u garantonte qetësi fëmijëve të tij dhe një zgjidhje të drejtë për të dyja palët.
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR