Dyndje në kufi për naftë dhe ushqime më të lira

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.03.2026, 17:57

Rritja e lartë e çmimit të naftës në Shqipëri po detyron gjithnjë e më shumë qytetarë të kalojnë kufirin drejt Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut për t’u furnizuar me karburant më të lirë. Ditët e fundit është vënë re një shtim i ndjeshëm i lëvizjeve në pikat kufitare, ndërsa qytetarët theksojnë se diferenca në çmim arrin deri në 60%.

Përveç karburantit, shumë banorë të zonave kufitare si Shkodra, Korça dhe Pogradeci po shfrytëzojnë këto udhëtime edhe për të blerë produkte ushqimore, të cilat në vendet fqinje kushtojnë dukshëm më pak.

Në pikën kufitare të Muriqanit, fluksi i automjeteve shqiptare drejt Malit të Zi është rritur ndjeshëm. Shumica e drejtuesve të mjeteve shprehen se arsyeja kryesore e udhëtimit është furnizimi me karburant, i cili atje kushton rreth 1.5 euro për litër dhe konsiderohet me cilësi më të mirë.

E njëjta situatë paraqitet edhe në kufirin me Maqedoninë e Veriut, ku çmimi i naftës është deri në 100 lekë më i ulët se në Shqipëri. Si pasojë, qytetarët nga Korça, Pogradeci dhe zonat përreth po i drejtohen gjithnjë e më shumë këtyre tregjeve, duke kombinuar furnizimin e automjeteve me blerje të tjera për nevoja të përditshme.

Banorët shprehen se, me çmime që variojnë nga 140 deri në 160 lekë për litër në vendet fqinje, kursimi është i ndjeshëm krahasuar me Shqipërinë, ku nafta ka kaluar shpesh mbi 220 lekë për litër. Ndërkohë, edhe qytetarë nga Maqedonia e Veriut konfirmojnë rritjen e numrit të automjeteve me targa shqiptare që furnizohen çdo ditë në pikat e karburantit.

Megjithatë, për disa qytetarë, përtej kostove të larta, zgjedhjet vazhdojnë të ndikohen edhe nga faktorë të tjerë, përfshirë bindjet personale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit