Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm shtetasin portugez Ruben Saraiva, i shpallur fajtor për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin, ku Nikulaj u qëllua për vdekje brenda ambienteve të biznesit të tij. Sipas organit të akuzës, bëhet fjalë për një vrasje të organizuar dhe të paramenduar, në të cilën roli i Saraivës ka qenë thelbësor në ekzekutimin e planit.
Gjatë procesit gjyqësor janë paraqitur prova materiale, dëshmi dhe ekspertiza, të cilat, sipas prokurorisë, mbështesin përfshirjen e të pandehurit në këtë ngjarje kriminale. Hetimet kanë ngritur gjithashtu dyshime se krimi është porositur nga Edmond Haxhia, për motive hakmarrjeje, me përfshirjen e edhe disa shtetasve britanikë si bashkëpunëtorë.
Sipas të dhënave të hetimit, vrasja e Nikulajt lidhet me një konflikt të hershëm hakmarrjeje mes familjeve, që daton që prej vitit 1997, duke e vendosur ngjarjen në kontekstin e një zinxhiri të gjatë përplasjesh mes fiseve.