Plas në PS: Spiropali i kthehet “dhëmb për dhëmb” Ballës për imunitetin e Ballukut

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 24.03.2026, 19:19

Brenda rradhëve të Partisë Socialiste kanë nisur të dëgjohen krismat e para të një përplasjeje që deri dje dukej e paimagjinueshme. Ajo që nisi si një procedurë standarde për imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, është kthyer në një fushëbetejë me "romuze" dhe kunja publike mes dy figurave qendrore të mazhorancës: Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit.

Balla "shkund" shkopin e disiplinës

Gjithçka nisi gjatë një konference për shtyp, ku Kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, nuk e kaloi në heshtje mungesën e Spiropalit në seancën vendimtare për imunitetin. Me një ton që la të kuptohet se "llogaritë duhen larë", Balla deklaroi prerë se do të konsultohej me Grupin Parlamentar lidhur me këtë mungesë. Mes rreshtave, ky mesazh u lexua si një paralajmërim për masa disiplinore ose, të paktën, si një "tërheqje veshi" publike për ish-kryetaren e Kuvendit.

Spiropali nuk ia lë mangët: "Thirre grupin, Taulant!"

Përgjigjja e Spiropalit nuk vonoi dhe nuk ishte aspak mbrojtëse, përkundrazi. Përmes një reagimi që në zhargonin politik mund të cilësohet si "dorashka e hedhur", ajo i është drejtuar Ballës me emër, duke përdorur një gjuhë sa zyrtare aq edhe sfiduese.

"Taulant, e lexova me vonesë deklaratën tënde... Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë," shkroi ajo, duke i kujtuar se vendimmarrja kolektive është forca e PS-së dhe jo urdhrat individualë.

Krizë besimi apo luftë për territor?

Kjo përplasje në distancë tregon se brenda "familjes" socialiste, ujërat nuk janë edhe aq të qeta. Duke kërkuar diskutim "të hapur dhe troç", Spiropali duket se po i thotë Ballës që nuk trembet nga "konsultimet" e tij, duke e lënë topin në fushën e këtij të fundit.

Mbetet për t’u parë nëse ky "sherr" është thjesht një show për të larguar vëmendjen, apo nëse "shuplakat" e radhës do të jenë edhe më të forta brenda mbledhjes së grupit, ku tashmë sytë janë kthyer nga lëvizjet e radhës të dy protagonistëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit