Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në fshatin Kuman, në Roskovec, bashkia Fier.
Sipas informacioneve të deritanishme, një i moshuar ka vrarë bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund jetës. Burime bëjnë me dije se shtetasi Shefit Rrapaj, rreth 80 vjeç, banues në këtë fshat, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri (pushkë) bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, rreth 75 vjeçe, brenda banesës së tyre, dhe më pas është vetëvrarë.
Çifti Rrapaj jetonte prej rreth dy dekadash në këtë zonë, pasi ishte zhvendosur nga Levan i Beratit. Ata kishin shtatë fëmijë, tre vajza dhe katër djem, shumica e të cilëve jetojnë jashtë vendit. Vetëm njëri prej djemve banonte me ta dhe është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin.
Burime nga zona raportojnë se në familje kanë ekzistuar konflikte të vazhdueshme prej vitesh. Vetëm pak ditë më parë, policia kishte ndërhyrë në banesë për të ndërmjetësuar dhe sqaruar mosmarrëveshjet mes çiftit.
Gjithashtu, mësohet se rreth 10 vite më parë, i moshuari kishte tentuar të vetëvritej me armë zjarri.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje të rëndë.