Filipinet kanë shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare në sektorin energjetik, duke u bërë vendi i parë që ndërmerr një hap të tillë si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme.
Vendi konsiderohet veçanërisht i rrezikuar nga ndërprerjet e furnizimit, pasi siguron rreth 98% të naftës nga rajoni i Gjirit. Gjatë javëve të fundit, qytetarët janë përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të karburantit, ndërsa nafta dhe benzina janë shtrenjtuar ndjeshëm që nga nisja e konfliktit.
Në Urdhrin Ekzekutiv, presidenti Ferdinand Marcos Jr. paralajmëron për një “rrezik të menjëhershëm” ndaj furnizimit me energji, duke theksuar se kjo masë i jep qeverisë mundësinë ligjore për të ndërhyrë dhe për të garantuar stabilitetin ekonomik.
Autoritetet kanë ngritur një strukturë të posaçme për të mbikëqyrur shpërndarjen e karburantit dhe të mallrave bazë, si ushqimet dhe ilaçet. Po ashtu, qeveria është autorizuar të sigurojë drejtpërdrejt produkte nafte për të shmangur mungesat në treg.
Sipas ministrit të energjisë, rezervat aktuale mbulojnë rreth 45 ditë konsum, ndërsa masa e emergjencës pritet të qëndrojë në fuqi për një vit, me mundësi rishikimi nga presidenti.