Pensionistët shqiptarë renditen ndër më të pafavorizuarit në Evropë për sa i përket nivelit të pensioneve krahasuar me koston e jetesës.
Sipas një grafiku të publikuar nga Euronews dhe të bazuar në të dhëna ndërkombëtare, Shqipëria pozicionohet në vendin e parafundit, ku pensioni mesatar mbulon vetëm rreth 29% të shpenzimeve të përditshme të një individi (pa përfshirë qiranë).
Raporti thekson se niveli i pensioneve ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin. Në Evropën Veriore dhe Perëndimore, pensionet shtetërore shpesh arrijnë të mbulojnë plotësisht ose edhe të tejkalojnë kostot bazë të jetesës, ndërsa në shumë vende të Evropës Lindore dhe në Ballkan ato mbeten dukshëm më të ulëta dhe të pamjaftueshme për nevojat e përditshme.
Studimi i firmës Moorepay, tregon se në 20 nga 39 vende evropiane pensionet shtetërore nuk arrijnë të mbulojnë plotësisht kostot e jetesës. Këto të dhëna nuk përfshijnë qiranë, ndaj nëse ajo do të merrej në konsideratë, diferenca do të ishte edhe më e madhe.
Në përgjithësi, përqindja e mbulimit të kostos së jetesës nga pensionet varion ndjeshëm në Evropë: nga rreth 22% në vendet më të dobëta, deri mbi 200% në vendet më të zhvilluara si Luksemburgu.
Kjo tregon një hendek të madh ekonomik mes rajoneve të kontinentit.
Në fund të renditjes gjenden vende si Gjeorgjia, Shqipëria dhe Ukraina, ku pensionet nuk mbulojnë as gjysmën e shpenzimeve mujore. Ndërkohë, vende të tjera të Ballkanit dhe Evropës Lindore paraqesin gjithashtu nivele të ulëta mbulimi, duke reflektuar sfida të ngjashme ekonomike dhe strukturore.
Ekspertët vërejnë se në shumë raste, të moshuarit në Evropë mbështeten kryesisht te pensionet publike si burimi kryesor i të ardhurave, ndërsa ndryshimet në sistemet pensionale dhe nivelet e zhvillimit ekonomik ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës së tyre.
