Një banor i zonës së Freskut i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar një problem që po shqetëson komunitetin prej kohësh: trafikun kilometrik në këtë pjesë të qytetit.
Sipas qytetarit, çdo ditë banorët e lagjes përballen me vonesa të gjata dhe kolona makinerish që arrijnë kilometra të tërë, veçanërisht në aksin drejt rrethit të unazës. “Është e pamundur të lëvizësh normalisht për të vazhduar rutinën e përditshme,” shprehet ai. “Çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje është një luftë me trafikun.”
Banori thekson se problematika nuk është vetëm vonesa, por edhe efektet e tjera që krijon trafiku, si ndotja e ajrit dhe rritja e stresit tek ata që përpiqen të shkojnë në punë ose në shkolla. Ai shton se shpesh automjetet mbeten të bllokuara dhe banorët e lagjes duhet të kërkojnë rrugë alternative, të cilat gjithashtu janë të ngarkuara.
Me një dozë ironie, qytetari sugjeron se vetëm çmimi i naftës deri në 20 mijë lekë mund të ulë trafikun, duke treguar pak frustrimin e përditshëm të banorëve për mungesën e zgjidhjeve reale.