“Kjo grua vodhi disa tapete, t’i kthejë mbrapsht para se ta denoncojmë në polici”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.03.2026, 20:28

Një denoncim i pazakontë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku pronari i një lavazhi në Kamëz ka raportuar një rast vjedhjeje me protagoniste një grua.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së sotme në rrugën “Skënderbeu”, pranë pedonales së Frutikulturës. Pamjet e siguruara nga kamerat tregojnë momentin kur gruaja futet në ambientet e lavazhit dhe, pa hezitim, merr disa tapete që ndodheshin aty.

E gjithë skena zgjat vetëm pak sekonda. Ajo hyn, merr tapetet dhe largohet me një qetësi që bie në sy, sikur të ishte në biznesin e saj dhe pa u shqetësuar aspak për praninë e kamerave.

Pronari i biznesit thotë se tapetet i përkasin klientëve të tij dhe bën thirrje publike që gruaja t’i kthejë ato sa më shpejt, përpara se rasti të denoncohet në polici.

Ai thekson se nuk e njeh personin në fjalë dhe se shpreson që situata të zgjidhet pa përshkallëzim të mëtejshëm.

Mesazhi i plotë:

“Përshëndetje JOQ Albania! Doja të raportoja një ngjarje që ka ndodhur ditën e sotme në Kamëz, rruga Skënderbeu, ngjitur me pedonalen Frutikulturë. Një grua shihet në videot e marra nga kamerat përballë lavazhit duke vjedhur tapetat që ishin aty. Po i themi qytetares më mirë të na kontaktojë dhe të na i kthejë tapetat aty ku i ka marrë, para se ta bëjmë alarmante në polici vetëm për disa tapeta. Ju lutemi postojeni si rast dhe ju faleminderit! Tapetet janë të klientëve të mi. Biznesi i lavazhit është i imi. Unë jam pronari. Nuk e njohim gruan në fjalë.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit