Shefi i Komisariatit të Shkodrës, Bekim Lika, ka shndërruar banorët e Baks-Rrjollit në shënjestra personale, duke ushtruar dhunë të tepruar gjatë shoqërimeve dhe ndërhyrjeve policore. Veprimet e tij, që qytetarët i përshkruajnë si tejkalim flagrant të kompetencave, tregojnë se për këtë “profesionist” ligji dhe drejtësia janë vetëm letra pa fuqi.
Protestat paqësore kundër ndërtimit të resortit luksoz “Aba Blue Borgo” të oligarkut Bashkim Ulaj u shtypën me dhunë nga qindra efektivë, duke kthyer policinë nga mbrojtëse e qytetarëve në mburojë për investitorin. Ndërtimi vazhdon që nga marsi 2025, ndërsa banorët mbeten të pambrojtur dhe të shkelur në të drejtën për të protestuar.
Leja e ndërtimit u firmos më 15 janar 2025 nga Belinda Balluku, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i dhënë legalitet një grabitjeje të hapur të tokave të trashëguara ndër breza. Qytetarët kërkojnë ndërhyrje institucionale për të ndaluar shkeljen e pronave dhe për të mbrojtur të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht, por shteti duket se ka zgjedhur të qëndrojë i heshtur.