Shqipëria luan finalen e saj të parë për kualifikimin në Botërorin 2026, duke u përballur me Poloninë në një ndeshje teke që vendos gjithçka. Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, e cilësoi këtë si një mundësi të jashtëzakonshme për të realizuar ëndrrën e madhe të një vendi në Botëror.
“Është e vërtetë që s’kam pasur shumë minutazh te Lazio, por kur vjen në Kombëtare është ndjesi krejt tjetër. Gjithmonë jap maksimumin, dhe të gjithë lojtarët janë të gatshëm për këtë sfidë. Polonia është një skuadër e fortë, por tani kemi mundësinë tonë të vetme për të shkuar në Botëror dhe nuk duhet ta humbasim,” tha Hysaj.
Ai theksoi rëndësinë e ndeshjes si një “akt final”: “Është një ndeshje teke, dhe jemi të gjithë të motivuar. Duam të falim Shqipërisë një Botëror të bukur. Dy vite kam pasur vështirësi te klubi, por Kombëtarja është një kapitull tjetër i jetës time, dhe gjithmonë kam dhënë maksimumin. Jam gati dhe mezi pres të futem në fushë.”
Hysaj foli edhe për mungesat në ekip: “Lojtarë si Manaj dhe Daku janë të rëndësishëm, por nëse nuk janë ata, të tjerët janë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre. Është një mundësi që kam ëndërruar që fëmijë. Ëndrrat realizohen ose jo, por tani kemi këtë shans dhe duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht. Të gjithë e dimë që vetëm nga një derë kalojmë, dhe nëse nuk ia dalim, do të kthehemi të zhgënjyer. Por tani fokusi ynë është vetëm Polonia,” përfundoi mbrojtësi.