“Irani po kërcënon botën”, Netanyahu thirrje liderëve perëndimorë: Duhet të na bashkoheni!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.03.2026, 19:27

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që t’i bashkohen Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara në përballjen me Iranin, duke paralajmëruar për një kërcënim që, sipas tij, shtrihet përtej Lindjes së Mesme dhe prek drejtpërdrejt edhe Europën.

Deklaratat ai i bëri gjatë një vizite në qytetin jugor të Arad, ku një raketë iraniane goditi zonën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe të lënduar. Netanyahu theksoi se zhvillimet e 48 orëve të fundit përbëjnë një provë të qartë të rrezikut që paraqet Irani për sigurinë globale.

“Ky regjim kërcënon gjithë botën dhe duhet ndalur. Ata kanë kapacitetin për të goditur thellë në Evropë, të gjithë janë në shënjestër,” u shpreh ai.

Kreu i qeverisë izraelite vlerësoi gjithashtu qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump ndaj Iranit, duke e cilësuar si të drejtë qasjen e ashpër ndaj asaj që ai e përshkroi si një “regjim terrorist fanatik”. Sipas tij, siguria e Izraelit dhe e SHBA-së është e lidhur ngushtë me sigurinë globale.

I pyetur për kundërpërgjigjen ushtarake, Netanyahu u shpreh se Izraeli po vepron me forcë të madhe, duke theksuar se objektivat nuk janë civilët.

Vizitës në Arad iu bashkuan edhe figura të rëndësishme politike. Ministri i Jashtëm, Gideon Sa’ar, i cilësoi sulmet ndaj zonave të banuara si “krime lufte”, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmoi se Izraeli do të vazhdojë goditjet ndaj industrisë ushtarake dhe kapaciteteve raketore të Iranit.

Nga opozita, Yair Lapid kërkoi që operacionet të vijojnë deri në shkatërrimin e plotë të aftësive balistike të Iranit, por kritikoi qeverinë për menaxhimin e fondeve, duke kërkuar që ato të orientohen drejt rindërtimit të zonave të prekura dhe sistemit shëndetësor.

Ndërkohë, Yair Golan hodhi akuza më të forta, duke pretenduar se konflikti po zgjatet për interesa politike, ndërsa siguria kombëtare po përdoret si mjet për të shmangur zgjedhjet.

Në të njëjtën linjë për unitet u shpreh presidenti Isaac Herzog, i cili theksoi se vendi duhet të qëndrojë i bashkuar në një moment të tillë, duke shtuar se përfundimi i konfliktit pritet në një fazë të afërt.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit