Një tjetër denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë tonë lidhur me cilësinë e produkteve ushqimore që tregtohen në rrjetin e supermarketeve Big Market. Rasti i fundit ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë ushqimore dhe kontrollin e produkteve që konsumojnë qytetarët çdo ditë.
Sipas qytetares denoncuese, ajo ka blerë një pako makarona Barilla në një nga pikat e Big Market pranë zonës së Kodrës së Diellit. Edhe pse data e skadencës në ambalazh rezultonte e rregullt, surpriza e pakëndshme erdhi në momentin që ajo hapi paketimin për gatim: brenda saj ndodheshin një numër i madh krimbash.
E tronditur nga ajo që pa, qytetarja ngre një pyetje të fortë dhe legjitime: çfarë po konsumojnë shqiptarët çdo ditë? Ky nuk është një rast i izoluar, pasi prej kohësh qytetarë të ndryshëm kanë ngritur shqetësime për produkte të dyshimta në treg, duke vënë në qendër të kritikave pikërisht këtë rrjet supermarketesh.
Në këtë situatë, roli i AKU bëhet edhe më i dyshimtë pasi reagimi ka qenë i vakët, ndërsa denoncimet e qytetarëve nuk kanë marrë përgjigjen e duhur. Kjo ngre dyshime dhe pakënaqësi të mëdha, duke lënë hapur pyetjen nëse kontrolli ndaj sigurisë ushqimore po kryhet me seriozitetin e nevojshëm.
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje, po nxjerr dufin tim që po e dërgij këtë video, ishalla po e nxirrni si denoncim, mbase frenohen pak, kam blerë makaronat te Big Market këtu në fillim të Kodrës së Diellit, janë me miza. Skadenca thotë mars 2028, a janë në vete? Çfarë po hamë? Po i blejmë sa u do qefi dhe po hamë krimba dhe miza!