Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë tonë nga Durrës, ku një qytetar ngre alarmin për një situatë që po del jashtë kontrollit dhe po kthehet në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e banorëve.
Sipas dëshmisë së tij, ai është sulmuar dy herë nga një grup qensh endacakë, të cilët madje e kanë kafshuar. Frika është kthyer në realitet të përditshëm, aq sa qytetari detyrohet të lëvizë me një shkop në dorë për t’u mbrojtur nga një sulm tjetër i mundshëm.
Por situata bëhet edhe më alarmante. I njëjti qytetar tregon se i njëjti grup qensh ka sulmuar edhe një fëmijë të vogël. Vetëm ndërhyrja e shpejtë e kalimtarëve ka shmangur një tragjedi që mund të kishte pasoja të rënda.
Ngjarje të tilla po ndodhin në mes të qytetit, shumë pranë institucioneve lokale, ndërkohë që mungesa e masave konkrete është e dukshme. Qytetarët ndihen të braktisur përballë një problemi që kërkon zgjidhje urgjente, ndërsa çdo ditë që kalon rrit rrezikun për incidente të tjera.
Ky nuk është më një shqetësim i zakonshëm, por një situatë që kërkon reagim të menjëhershëm nga Bashkia për rehabilitimin e qenve endacak.